“Dauti-Komerc” feston 30-vitet e suksesit

“Dauti-Komerc” feston 30-vitet e suksesit
I lindur para 30 viteve në fshatin Bojanë të komunës së Sarajit, “Dauti-Komerc”sot është një konglomerat i fuqishëm biznesi, i pranishëm në 4 shtete të Ballkanit, me mbi 800 të punësuar, me furnizues nga 82 shtete të Botës dhe në mesin e 50 kompanive më të fuqishme në Maqedoninë e Veriut.
“Dauti-Komerc” sot disponon me qendër të sofistikuara të distribuimit në Saraj me një hapësirë prej mbi 22.000 metrash katrorë dhe mbi 300 të punësuar që e bëjnë punëdhënësin më të madh në komunën tonë.
Në Tetovë disponon me 3.000 metra katrorë, në Strugë me 1.500 metra katrorë, në Durrës (Shqipëri) me 3.000 metra katrorë, në Ferizaj (Kosovë) me 15.000 metra katrorë dhe në Podgoricë (Mal të Zi) me 5.000 metra katrorë. Kompania simotër “Dauti-Transport Shped”, e shtrirë në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, ka një flotë prej 60 kamionësh dhe 11 zyra të shërbimeve të shpedicionit.
Të gjithë këto qendra të distribuimit funksionojnë me standarde bashkëkohore ndërkombëtare (ISO, HACAPP, HALLALL, etj) dhe me teknikën më moderne të menaxhimit, monitorimit, ruajtjes dhe transportit të mallrave të konsumit të gjerë, me të vetmin qëllim – të mos ketë ngecje në zinxhirin e furnizimit të konsumatorit.
Zyra qendrore e tërë konglomeratit “Dauti” është e vendosur në Saraj, me hapësirë administrative prej 4.500 metrash katrorë.
Strategjia për mbulimin e të gjithë tregut me të gjitha prodhimet, po zbatohet një kohë të gjatë nga menaxhmenti i “Dauti-Komercit”. Për këtë qëllim kompania ka një organizim që mundëson menaxhim korporativ konform strategjisë së sajë dhe nevojave të tregut.
Duke implementuar të gjitha standardet bashkëkohore të funksionimit (ISO, HACAPP, HALLALL, IFC etj), “Dauti-Komerc” sot ka arritur të ketë leje për depo doganore të veten, të drejtën e doganimit lokal dhe të jetë operator i autorizuar ekonomik për siguri doganore ndërkombëtare dhe për thjeshtësim doganor për tregun e brendshëm. Gjithashtu, kompania ka siguruar certifikatën e kualitetit dhe të sigurisë për pjesëmarrje në furnizimin e institucioneve ndërkombëtare, si NATO, UNDP, Islamic Relief, Qendra për Ndihma e Mbretërisë së Arabisë Saudite e të tjera.