Saraj 18 prill – Në mënyrë solemne në fshatin Lubin të komunës së Sarajit janë përuruar disa rrugë lokale të shtruara me pllaka të betonit. Ky investim i Komunës së Sarajit kap vlerën prej 2,5 milion denarë ndërsa janë venduar gjithsej mbi 2 mijë metra katrorë pllaka të betonit në disa rrugica të këtij vendbanimit. Në këtë projekt të komunës së Sarajit është përfshirë edhe rrugica për te varrezat e vendbanimit Saraj. Kryetari i Komunës së Sarajit Blerim Bexheti u shpreh se të gjitha këto investime kanë qenë të parapara dhe të planifikuar në buxhetin komunal, por puna realizohet me një bashkëpunim të mirë me banorët lokal. Ai tha se përvojat e bashkëpunimit me qytetarët janë dëshmuar si të suksesshme dhe e njëjta do të vazhdohet edhe nëpër vendbanimet tjera të Komunës së Sarajit.“Dëshmitarë jemi të gjithë ne, se dukshëm është duke u përmirësuar infrastruktura lokale e vendbanimeve të Komunës së Sarajit. Vetëm gjatë kësaj stine pranverore me pllaka të betonit janë shtruar njëzet rrugë lokale, ndërsa janë asfaltuar edhe disa rrugë rajonale që lidhin fshatrat. Punimet në përfundim e sipër janë në Rashçe dhe Llaskarcë, ku janë duke u shtruar me pllaka të betonit”, deklaroi kryetari i komunës Blerim Bexheti. Bexheti duke përmendur projektet tjera tha se në përfundim e sipër është edhe kanalizimi fekal në fshatrat Gërçec, Shishovë dhe Gllumovë si dhe terrenet sportive në Bojanë, Svillare. Komuna e Sarajit gjithashtu ka bërë edhe tamponimin e rrugës lokale të fshatit Lubin e cila lidh këtë vendbanim me autostradën Shkup-Tetovë.
(/([\|{}\(\)\[\]\\\/\+^])”\)(‘<"''"><\')}